Kombëtarja e Zvicrës në futboll ka shënuar një fitore të rëndësishme, të premten, në mbrëmje kundër përfaqësuesës shqiptare prej 1-2 në ndeshjen eliminatore për Brazil 2014, fitore kjo që ka kualifikuar helvetikët për në kupën e Botës vitin e ardhshëm.
Dhe, duke pasur parasaysh vlerën e kësaj ndeshje rrugës për në Shqipëri, në mbështetje të kombëtares së Zvicrës, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë kishin ardhur edhe rreth 500 tifozë zvicerianë, në mesin e të cilëve kishte pasur edhe shqiptarë. Kjo mund të duket e pabesueshme, por është e vërtetë.

“I kemi rezervuar biletat që në Zvicër, sepse na është thënë se bileta në tiranë nuk do të ketë. Kemi ardhur për të parë lojtarët shqiptarë që luajnë për Zvicrën dhe kuptohet do të bëjmë tifo për ata. Ne shqiptarët që jetojmë dhe veprojmë atje jemi krenarë”, i tha “Lajm”-it një tifoz shqiptar, të cilin e takuam në ambientet e hotelit Sheraton në Tiranë (ishte e vendosur Kombëtarja e Zvicrës), i cili së bashku me disa të tjerë kishte ardhur për të bërë foto me Shaqirin, Xhakën, Mehmedin, Behramin, Kasamin dhe të tjerë. Atë ditë familjarë dhe miqë të shumtë kishin vizituar dhe takuar lojtarët shqiptarë të Zvicrës.