Përpara viteve të nëntëdhjeta, profesionet që mund të bënte një grua ishin të shumta. Duke qenë se Shqipëria ishte në ndërtim e sipër, në vitin 1950 deri në fund të viteve 1990, u hapën një numër i madh fabrikash dhe uzinash, ku gratë punonin përkrah burrave në të njëjtat kushte.
“Gruaja është forcë e madhe”, ishte parulla e asaj kohe për punësimin e saj. Duket sikur gjithçka merr fund me punësimin, por këtu nis edhe pjesa më e vështire. Krahas vështirësive fizike, gruaja u bë saldarore, traktoriste, tornitore, mekanike, axhustatore, bateriste, fonderiste, pompiste apo dhe muratore.

Të gjitha profesione të rënda për natyrën e brishtë të gruas, por në një kohë të shkurtër në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, gratë nisën të bënin punë burrash….
Fustanet e hijshme u zëvendësuan me kominoshet e punës, ndërsa dorezat fine të grave me dorezat e saldimit apo te shkrirjes së hekurit.
Puna e bërë nga një grua u vu re se ishte shumë e kujdesshme dhe nën përdorimin e teknologjisë së kohës, në disa raste dhe më e mirë se puna e bëre nga meshkujt.
Kaq e madhe ishe propaganda për modelin e gruas që zëvendësonte burrin, sa që kinostudio “Shqipëria e Sot”, Teatri Kombëtar apo piktorët e kohës, të gjitha filmat apo veprat e tyre i realizonin me tematiken e gruas traktoriste apo montatore.
Modeli tashme ishte krijuar. Shumë vajza të reja u futen në profesione të pazakonta pasi u frymëzuan nga filma si “Montatoria”, “Brazdat” apo deri tek filmi “Kapedani”.
Mjafton të shohësh ballinën e Muzeut Historik Kombëtar, në qendër të Tiranës, për të kuptuar rolin dhe simboliken e figurës së gruas në periudhën para viteve 1990.
Gruaja që sfidon tensionin e lartë
Të gjithë ata që e njohin Adriana Hysenajn, habiten me profesionin e saj. 52-vjeçarja nga Erseka konkurron elektricistët e zonës, duke riparuar linjat e tensionit të ulet dhe të lartë. Edhe pse nuk është diçka e zakonshme të shohësh një grua elektriciste, Adriana çdo ditë lëviz me biçikletë për të kontrolluar telat e korrentit.