Një klip i ri sensual nga Dafina Zeqiri me titull “Hajde më knej” dhe një dashuri e re në jetën e saj. Pas ndarjes nga Dj Blunt, me të cilin realizoi dhe një bashkëpunim muzikor, Dafina tashmë po bën publike lidhjen e saj me këngëtarin që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Seven Saraqi.
Këto ditë Dafina ndodhet në Nju Jork për të vizituar të dashurin e saj, për të kaluar kështu më shumë kohë së bashku. Ka qenë vetë Seven, i cili ka postuar një foto në profilin e tij në facebook, ku dy këngëtarët shfaqen shumë afër dhe në intimitet me njëri-tjetrin. Ai e ka shoqëruar foton me një deklaratë dashurie për Dafin, duke pranuar për herë të parë publikisht lidhjen e tij me të. “Dafi dhe unë në Nju Jork. Ushqim i mirë, verë e mirë, dhe momente të bukura. E dashuroj”, shkruan ai.
Pak para postimit të kësaj fotoje, Seven u komentua mjaft nga fansat për një foto tjetër, ku ai pozonte i zhveshur në tarracën e një ndërtese shumë-katëshe. Për sa i përket karrierës, ai tashmë ka njoftuar se ky moment i jetës së tij është mjaft intensiv, pasi po përgatitet për të publikuar albumin e tij më të ri këtë dimër. Nuk dihet nëse udhëtimi i Dafinës drejt Nju Jorkut ka qenë dhe për ndonjë bashkëpunim muzikor mes të dyve si pjesë e albumit të Saraqit, pasi dihet që ajo preferon që historitë e saj të dashurisë t’i ngatërrojë edhe me punën, duke bërë bashkëpunime me ta.
Së fundi, Dafina është bërë objekt diskutimi për shkak të një videoje, ku dallohej zëri i saj ndërsa fliste kundër Tunës dhe disa kolegëve të saj. Menjëherë pas kësaj zhurme mediatike udhëtoi drejt Amerikës, ku dhe u lidh më shumë me këngëtarin kosovar, Seven Saraqi. Të shohim se sa do të zgjasë kjo histori me Saraqin, i cili është komentuar vazhdimisht si talenti shqiptar në Nju Jork. Por duket se Seven ka lindur me fat, pasi për të depërtuar në tregun muzikor amerikan ai ka mbështetës kryesor të atin. Vitin e kaluar, shtypi rozë shkroi që babai i Seven kishte ftuar për darkë në shtëpinë e tij producentin e famshëm botëror, Bang Out. Tryeza e shtruar në familjen Saraqi për producentin e “50 Cent” dhe jo vetëm shërbeu për të diskutuar për të ardhmen e Sevenit, pas suksesit të tij në “Show Kase Live”.
