Në Komisariatin e Durrësit të martën ka mbërritur një denoncim i pazakontë. Një 31-vjeçare pretendon se mikesha e saj me iniciale I. M., me banim në Durrës, ka ndërhyrë në të dhënat e saj në rrjetin social Facebook duke thyer kodet e sigurisë dhe duke transmetuar mesazhe për publikim në këtë rrjet. Ajo e ka akuzuar shoqen për ndërhyrje në privatësinë e saj nëpërmjet rrjetit social duke kërkuar nga policia nisjen e hetimeve. Sipas saj, kjo ka qenë një ndërhyrje e padrejtë në jetën private, ku shoqja me iniciale I. M. ka publikuar për një kohë të shkurtër mesazhe në rrjetin social në emër të saj, duke e dëmtuar atë. Pas kallëzimit të 31-vjeçares prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur vërtetësinë e akuzës, ndërkohë deri në përfundim të tyre ky organ drejtësie e akuzon shtetasen I. M. për veprat penale “hyrje e paautorizuar kompjuterike” dhe “ndërhyrje e padrejtë në jetën private”, njofton Panorama. Ky është kallëzimi i parë me këtë subjekt që depozitohet pranë Komisarit të Policisë Durrës, ndërkohë që rrjetet sociale, si Facebook apo Twitter, në jo në pak raste janë bërë shkas për konflikte të ndryshme.